Mirë se vini në universitet

Njoftime

Të dashur studentë e padagogë!

Vendi ynë po ndryshon me hapa të shpejtë në çdo qelizë të tij. Sot në Shqipëri ka shumë dëshirë për dije, për arsimim, për të fituar njohuri, për të zgjeruar kompetencat, për të rritur kapacitetet, për të ecur me të njëjtat ritme me ndryshimin. Për t’iu përgjigjur denjesisht ndryshimeve, për të qenë sa më koherentë me kërkesat e kohës, Universiteti ynë ka ndërmarrë një sërë iniciativash, si: ristrukturimi i disiplinave mësimore, promovimi brenda vendit dhe ndërkombëtarizimi i tyre. Këto janë rrugët më të sigurta për të pasur një Universitet cilësor, me shumë kapacitete në drejtim të kërkimit shkencor, të përsosjes didaktike, për t’i shërbyer sa më denjësisht zhvillimit të rajonit.

Qëllimi ynë është të promovojmë vlerën, dijen, shkencën, kulturën, të përgatitim talente, të krijojmë kompetenca dhe të mbështetim ndërmarrjet e punësimin.

Të gjithë së bashku të përpiqemi çdo ditë që Universiteti ynë të mbetet model i vlerave, i kontributeve të shumta, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e  qëndrueshëm të shoqërisë ku jetojmë, studiojmë dhe veprojmë si institucion akademik.

Komuniteti ynë akademik është i formuar nga profesorë, lektorë, stafi tekniko-administrativ dhe nga studentët. Të gjithë këta elementë nuk mund të bëjnë dot pa njëri-tjetrin, duke shërbyer si pjesë vitale e zhvillimit të Universitetit.  

Profesorët dhe lektorët kanë si mision transmetimin e dijeve te studentët.  Ata duhet të jenë të drejtë, të duruar, të gatshëm për të dhënë çdo shpjegim të kërkuar. Të gjithë bashkë duhet të kërkojmë mënyra për të eksploruar të panjohurën e për t’i dhënë zgjidhje çdo problemi.

Të gjithë këtyre u drejtohet thirrja jonë për ta mbajtur lart emrin e Universitetit, për ta kthyer në mision mbajtjen në jetë të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, për ta vazhduar traditën tonë 50-vjeçare në përgëtitjen e profesionistëve brilant.   

Vëmendja jonë fokusohet te të gjithë studentët, të cilët janë pjesa primare, më e rëndësishme e këtij organizmi. Janë ata të cilëve u është dedikuar misioni i përhapjes së dijeve, i krijimit të qytetarëve të ndërgjegjshëm, të edukuar, të gatshëm për të përballuar sfidat e jetës dhe për t’u përgatitur pët të ardhmen. Ata duhet të ndihen të përfshirë dhe  në mënyrë aktive në këtë mision, duke dhënë kontributin e tyre të çmuar e duke vazhduar të jenë shumë krenarë që janë studentë të Universitetit të Gjirokastrës.

Në funksion të ofrimit të shërbimeve të nevojshme qëndron një staf i përkushtuar tekniko-administrativ, i cili me punën,  gatishmërinë dhe devotshmërinë e tij, bën të mundur mbështetjen dhe realizimin e misionit akademik.  

Të gjithëve bashkë ju falenderoj që më jepni mundësinë të jem pjesë e një komuniteti universitar që besojnë në bukurinë e të punuarit me pasion, në emocione të sinqerta dhe entuziazëm konstruktiv.

Me respekt,

Prof. dr. Bektash MEMA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *