“Master i shkencave” në “Arkeologji, Histori dhe Administrim të Aseteve Kulturore” është programi më i ri i studimit i aprovuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit më datë 14/08/2023 që i shtohet Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës.
Ky program studimi i ciklit të dytë vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për ndërkombëtarizimin e universitetit dhe u finalizua pas një pune të gjatë disavjeçare të stafit akademik e administrativ të universitetit të Gjirokastrës dhe Universitetit të Maçeratës, Itali, një nga bashkëpunimet më të suksesshme bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të dakordësuar dhe firmosur nga palët. Ky program studimi me kohëzgjatje 2-vjeçare dhe 120 kredite mundëson përftimin e diplomës së dyfishtë nga fakultetet e të dy universiteteve, përkatësisht FESHSH në UGJ dhe fakultetit respektiv në Universitetin e Maçeratës për studentët që do të angazhohen në mësimnxënie në të dy universitetet në kuadër të mobiliteteve të parashikuara.
Për të prezantuar programin e ri të studimit, në UGJ u zhvillua një takim pune me pjesëmarrjen e koordinatorit të programit për palën e Universitetit të Maçeratës, prof. Roberto Perna, anëtarëve të Rektoratit të UGJ, prof. dr. Bektash Mema, Rektor, prof. dr. Jaho Cana, Zv/Rektor për procesin mësimor, prof. dr. Gëzim Sala, Dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore, Përgjegjëses së Departamentit të Historisë, Antropologjisë dhe Gjeografisë, prof. asoc. Albina Sinani, pedagogë të këtij departamenti, pjesë e grupit të punës për hartimin e dokumentacionit të nevojshëm për aplikimin për programin, përfaqësueses së Institutit të Arkeologjisë në Shqipëri, Znj. Sabina Veseli, përfaqësit të Parkut Arkeologjik të Butrintit, dr. Dhimitër Çondi dhe Konsullit të Nderit të Italisë në Gjirokastër, Z. Teodor Bilushi, të cilët së bashku me institucionet e pushtetit vendor në Gjirokastër dhe Konsullatën Italiane në Shqipëri kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm për finalizimin me sukses të këtij projekti me një rëndësi të veçantë jo vetëm për zonën e jugut, por edhe për gjithë territorin e vendit.
Të pranishmit vunë theksin në faktin se programi i ri i studimit do ta shndërrojë Universitetin e Gjirokastrës në një qendër ekselence të studimit, kërkimit dhe punësimit të mundësuar nga prania e stafit të kualifikuar nga të dy universitetet, asistenca e studiuesve të Institutit Arkeologjik, laboratorët bashkëkohorë egzistues në UGJ dhe territori i pasur me site arkeologjike, mes të cilave Parku i Antigonesë dhe Parku i Butrintit, por jo vetëm, që do të mundësojë kryerjen e orëve të praktikës për studentët shqiptarë dhe të huaj.
Programi është i hapur për aplikime për vitin akademik 2023-2024.