Tavolina e Gjirokastrës

Aktivitete

Universiteti “Eqrem Çabej” ka ndërmarrë nismën “Tavolina e Gjirokastrës”, në bashkëpunim me Bashkinë Gjirokastër ,institucionin e Prefekturës dhe Qarkut Gjirokastër, që gjeti mbështetjen e faktorit diplomatik italian, Ambasadës Italiane në Tiranë, Konsullata italiane në Vlorë dhe Konsullata Italiane e Nderit në Gjirokastër përfaqësuar nga z. Teodor Bilushi.

Forumi, që ka për synim vlerësimin e mundësive ekonomike dhe perspektivat e zhvillimit të Rajonit të Gjirokastrës, mblodhi së bashku në një tryezë të rrumbullakët përfaqësues nga Universiteti i Udines, Universiteti i Maceratës në Itali, Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Iva Palmieri, Dhoma e Tregëtisë, Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, specialistë dhe aktivistë. Krahas rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, një ndër objektivat e tjerë të forumit, që u përqendrua në politikat vendore të orientimit të ekonomisë së Gjirokastrës drejt zhvillimit të qëndrueshëm, ishte edhe rritja e kontributit të misionit të Universitetit, atë të ndërveprimit të drejtpërdrejtë me komunitetin.

Në fjalën e vet, rektori i UGJ, prof.dr. Bektash Mema, u shpreh se kjo tavolinë permanente, e konceptuar si një tryezë diskutimi, koordinimi dhe ballafaqimi, e përbërë nga forca të kualifikuara, aktorë dhe faktorë vendorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë që lidhen drejtëpërdrejtë ose indrekt me zhvillimin e territorit, ka si qëllim tërheqjen në mënyrë të vazhdueshme të mendimit të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe sjelljen e ideve për zhvillim dhe hartimin e projekteve për strategjinë e rajonit, në kuadër të strategjisë kombëtare. Rektori Mema theksoi se “Kjo tavolinë në rrjedhën e saj do të vlerësojë shkencërisht gjendjen aktuale dhe perspektivat e zhvillimit të rajonit; rritjen e bashkëpunimit midis Italisë dhe Shqipërisë; orientimin e universiteteve dhe të tërësisë së strukturave vendore, shtetërore dhe private, në drejtimin e duhur; edhe me synimin e rritjes së interesit të popullsisë aktive të qëndroj apo të rikthehet në rajon.”

Të pranishmit në takim sollën ide dhe mendime për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të qytetit të Gjirokastrës dhe rajonit, duke u bazuar mbi fakte dhe shifra konkrete dhe duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të të gjitha pasurive që ka qarku i Gjirokastrës. Gjatë kësaj tavoline u theksua rëndësia e bashkërendimit institucional në përthithjen e projekteve dhe realizimin e objektivave të këtij forumi.    Kryebashkiaku Golemi e vlerësoi forumin si një mundësi të shkëlqyer për të shkëmbyer ide dhe për të ndarë përvoja që vlejnë në përpjekjet e përbashkëta për ta ndërtuar këtu të ardhmen. “Kryefjala e këtij forumi duhet të konsistojë në bashkëpunimin në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor për përmbushjen e objektivave të përbashkëta të shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve ekonomike që qarku i Gjirokastrës i ofron me bollëk”, u shpreh ndër të tjera prefekti Odise Kote.

Në mbyllje, grupi i punës solli përfundimet e kësaj nisme, të grumbulluara në 12 pika orientuese të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të çështjeve të trajtura gjatë kësaj tryeze.          Nisma e organizuar dhe e promovuar nga Universiteti i Gjirokastrës u vlerësua si një inisiativë që do t’i shërbejë jo vetëm universitetit, por mbi të gjitha qytetit dhe rajonit në vitet e ardhshme. Per me teper….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *