MARRËVESHJE NDËRINSTITUCIONALE

Universiteti i Gjirokastrës është gjithmonë aktiv në politikën e tij të jashtme, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha Universitetet shqiptare, por edhe me Universitete të tjera të huaja duke nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe me to, por gjithashtu edhe bashkëpunime në kuadër të projekteve të ndryshme të fituara nga Universiteti jonë në bashkëpunim me partnerë të huaj. 

Kështu, më 24 Qeshor 1994 u nënshkrua Protokolli i Bashkëpunimit me Universitetin e Janinës(Greqi). Si hap i parë në këtë drejtim u vendos shkëmbimi i studentëve universitarë dhe pasuniversitarë si dhe shkëmbimi i personelit mësimor-shkencor me synim ndjekjen e seminareve, kryerjen e ushtrimeve laboratorike dhe në përgjithësi kryerje kërkimesh me qëllim përfundimin e disertacioneve të doktoraturës, konform planifikimeve të të dy Universiteteve. Në kuadër të programit TEMPUS, Universiteti i Gjirokastrës është përfshirë në projektin JEP 09363-95 (Tetor 1995 – Dhjetor 1998) me koordinator Universitetin e Janinës, projekt që synonte ristrukturimin e Departamentit të Matematikës. Bashkëpunimi me Prof. Stravulakin ishte mjaft i frytshëm duke qënë se ai ishte person kontakti i këtij projekti. Ai mbajti leksione dhe kurse në Universitetin e Gjirokastrës.

Një numër i madh pedagogësh të Departamenteve të Universitetit të Gjirokastrës kanë kryer specializime kolektive dhe individuale pranë Departamenteve përkatëse të Universitetit të Janinës. Gjithashtu në kuadër të Marrëveshjeve dypalëshe pedagogë të Universitetit të Janinës kanë dhënë mësim pranë Universitetit tonë.

Gjatë vitit akademik 1998 – 1999 pranë Universitetit të Gjirokastrës u çel dega e Infermjerisë për të cilën do të kemi dhe asistencën e stafit akademik shkencor nga pala greke.

Pedagogë nga Universiteti i Janinës kanë mbështetur Departamentin e Gjuhës Greke duke zhvilluar lëndë mësimore e duke pasuruar edhe bibliotekën me literaturë të domosdoshme. Universiteti u pasurua me laborator kimie, informatike e fizike.

Gjithashtu pas rinovimit të Marrëveshjes në 29 Janar 2002 Universiteti i Gjirokastrës u përfshi në programin Interreg II ku në partneritet me Universitetin e Janinës bashkëpunimi u thellua me botime të përbashkëta mes pedagogëve të Universitetit të Janinës dhe homologëve të tyre në Universitetin tonë.Tashmë në kuadër të projektit Interreg III bashkëpunimi po intensifikohet duke qënë se tre nga projektet e miratuara janë me Universitetin e Janinës. 

Në 14 dhjetor 1995 u nënshkrua Protokolli i Bashkëpunimit me Universitetin e Leçes (Itali). Ky Protokoll kishte për qëllim bashkëpunimin shkencor në fushën e shkencave natyrore, matematike dhe fizike, përpilimin e përgjithshëm të projekteve të finalizuara në proçesin mësimor, të zbatimit në fushën e kërkimeve etj. Në bazë të këtij Protokolli u nënshkrua, më 12 maj 1998 Marrëveshja e Bashkëpunimit prej së cilës tre studentë të Universitetit të Gjirokastrës kanë vazhduar studimet e tyre prej tre muajsh në Universitetin e Leçes duke shfrytëzuar laboratorët dhe mjetet didaktiko-shkencore te Universitetit në fjalë. Gjithashtu sipas kësaj Marrëveshje tre pedagogë të Universitetit tonë kanë kryer specializime 3-mujore pranë këtij Universiteti. 

Në 08 Prill 1996 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin e Athinës (Greqi).

Marrëveshja i përket sa veprimtarisë arsimore aq edhe asaj kulturore. Në stadet e para synohej shkëmbimi i studentëve para diplomës si edhe shkëmbim studentësh pasuniversitarë dhe personelit kërkimor ndërmjet dy Universiteteve me qëllim ndjekjen e seminareve, laboratorëve punëve kërkimore-shkencore etj. Kështu një pjesë e madhe e pedagogëve të Universitetit tonë kanë marrë pjesë në seminare, simpoziume, veprimtari të përbshkëta kërkimore me departamentet përkatëse të Universitetit të Athinës. 

Më pas në 02 dhjetor 2000 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me St. Mary’s College of Ave Maria University (USA). Kjo Marrëveshje kishte për qëllim pranimin e studentëve të kualifikuar dhe përfshirjen e tyre në programe të përbashkëta bashkëpunimi si MBA dhe ESL. 

25 Janar 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin e Ionit (Greqi). Bashkëpunimi po realizohet duke shkëmbyer në mënyrë reciproke anëtarë të Departamenteve të dy Universiteteve, personel ndihmës dhe studentë, si dhe shkëmbim i të dhënave informative në fushat e studimit. Zhvillimi i programeve të përbashkëta akademike-kërkimore dhe hartimi i referencave të përbashkëta. 

27 Janar 2002 nënshkruhet Protokolli i Bashkëpunimit mes Universitetit të Tetovës (Maqedoni) dhe Universitetit tonë. Kjo Marrëveshje forcoi në mënyrë reciproke veprimtaritë arsimore, shkencore dhe kërkimore duke shfrytëzuar lehtësitë e komunikimit gjuhësor dhe gjeografik mes dy institucioneve duke krijuar një bashkëpunim për këmbimin e specialistëve e studentëve kryesisht në leksione dhe mësimdhënie nga antarët e personelit didaktiko-shkencor në kuadër të programeve të përbashkëta universitare. 

11 Prill 2006 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin e Poznan (Poloni). Marrëveshja ka për qëllim forcimin dhe zgjerimin e shkëmbimeve reciproke me fakulteteve te Universiteteve tona, si rrjedhoje palet do te promovojne levizshmerine e studenteve ende te padiplomuar dhe te diplomuar duke i inkurajuar ata te marrin pjese ne kurse akademike,verore e ne programe te tjera. 

11 Dhjetor 2006 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin e Maçeratës (Itali). Marrëveshja ka për qëllim forcimin dhe zgjerimin e shkëmbimeve reciproke dhe bashkëpunimin në projektet kërkimore në fushat e tyre respektive. Marrëveshja pasuese e bashkëpunimit, firmosur më datë 1 mars 2007, po mes Universitetit të Studimeve të Maçeratës (Itali) dhe Universitetit të Gjirokastrës ka parasysh përpunimin e një skemë: Sistemi didaktik për diplomimin e nivelit Master në “Arkeologji dhe Administrim të pasurisë arkeologjike” e cila u nënshkrua më pas në Gjirokastër, më 26 Maj 2007. Në kuadër të këtij projekt bashkëpunimi Universiteti i Maçeratës do të vendosë një bursë studimi , për një student shqiptar, e finalizuar nga një kërkim me titull: ” Repertori bibliografik dhe arkivues implementuar në harkun e GIS-it për hartën arkeologjike të Luginës së Drinit”. Universiteti i Gjirokastrës do të ngrejë një laborator arkeologjik të pajisur mirë, duke nisur nga instalimi i një pike software për fillimin e të njëjtit kërkim me titull: ” Repertori bibliografik dhe arkivues implementuar në harkun e GIS-it për hartën arkeologjike të Luginës së Drinos”. 

12 Qershor 2007 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin e Oradeas (Rumani). Kjo Marrëveshje synon forcimin e kontakteve direkte dhe bashkëpunimin kërkimor midis antarëve të fakulteteve respektive. Gjithashtu kjo Marrëveshje ka për qëllim bashkëpunimin për çështje administrative, bashkëorganizimin në leksione, seminare konferenca etj. 

18 Tetor 2007 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin e Qipros. Kjo marrëveshje synon: Aktivitete kërkimore të përbashkëta. Shkëmbim i materialeve akademike, publikimeve akademike dhe informacionit. Shkëmbim i antarëve të fakulteteve për kërkime, leksione dhe diskutime. Shkëmbim i studentëve të diplomuar dhe të padiplomuar për studime dhe punë kërkimore. Bashkëorganizimi dhe bashkëpunimi në leksione, seminare dhe konferenca. Bashkëpunimi në çështje administrative etj. 

Gjithashtu Universiteti jonë është në prag të nënshkrimit të Protokolleve të Bashkëpunimit me Universitetin e Eastern Michigan (Sh.B.A) dhe Universitetin e Montenegros (Mali i Zi). 

Universiteti i Gjirokastrës ka kontakte të mira bashkëpunimi me Universitetet e Patrës (Greqi), Universiteti Aristotel (Selanik, Greqi), Universiteti i Maqedonisë (Selanik, Greqi), Qendrën Teknologjike të Kërkimit (Kozan, Greqi), Universiteti i Bazilikatës (Potencë, Itali), Universiteti i Kalabrisë, Departamenti i Albanologjisë (Itali). 

Në 4 Korrik 2008 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin Shtetëror të Tetovës (Maqedoni). Palët nënshkruese do të bashkëpunojnë në këto fusha: · Të organizojnë dhe të shkëmbejnë përvojat dhe informacionet për programet studimore, metodat dhe procedurat didaktike në studimet shkencore dhe arsimore të miratuara në veçanti,· Të shkëmbejnë stafin akademik dhe studentët,· Të shkëmbejnë profesorët në programet e përbashkëta studimore etj. Në 27 Korrik 2008 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin e Malit të Zi. Kjo marrëveshje ka për synim:

  1. shkëmbimin e vizitave të antarëve të stafit didaktik dhe kërkimor, të cilat kanë për qëllim promovimin e seminareve, kurseve, konferencave, përgatitjen e projekteve kërkimore në kuadër të programeve të ndryshme dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushat me interes të përbashkët.
  2. qarkullim të botimeve, materialeve akademike dhe informacionit për fusha të caktuara studimore dhe kërkimore të përfshira në marrëveshje dhe që kanë interes të përbashkët.
  3. shkëmbim reciprok i pedagogëve, kërkuesve dhe teknikëve për zhvillimin e aktiviteteve didaktiko – shkencore të integruara.
  4. shkëmbim studentësh pasuniversitarë dhe personelit kërkimor ndërmjet dy universiteteve me qëllim ndjekjen e seminareve, ekzekutim të ushtrimeve laboratorike dhe përgjithësisht në realizimin e kërkimeve me perspektivën e kryerjes së disertacioneve sipas planifikimit të dy universiteteve.
  5. të vihen në funksion bashkarisht kurse studimi, diplomimi, kurse për mësimdhënie, master, doktoratura të nivelit të parë ose të dytë me mundësinë e lëshimit të titujve të përbashkët.
  6. vizita të antarëve të personelit didaktik – shkencor me synim zhvillimin e kërkimeve në sektorët e ndryshëm të veprimtarisë së të dy institucioneve në forcimin e lidhjeve mes departamenteve etj.

Marreveshjet e UGJ. 

Gjithashtu Universiteti jonë është në prag të nënshkrimit të Protokolleve të Bashkëpunimit me Universitetin e Eastern Michigan (Sh.B.A) dhe TEI të Epirit (Greqi).