uogj

Historiku I Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër


Përshkrim i shkurtër historik i UGJ-së

Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave nr.414, më 12 Nëntor 1991, mbi bazën e Institutit të Lartë Pedagogjik, që ishte çelur më 1971. Ai është institucioni më i rëndësishëm arsimor, shkencor e kulturor i Rajonit Jugor te Shqipërisë.

Arsimi i lartë në Gjirokastër, deri sa u kalua në themelimin e Universitetit ka patur një traditë dhe përvojë të konsiderueshme. Më 1968 hapet Filiali i Fakultetit Ekonomik (pa shkëputje nga puna) të Universitetit të Tiranës, i cili vazhdoi për 11 vjet.

Një vit më vonë (1969) hapet dhe dega e Agronomisë, si Filial i Institutit të Lartë Bujqësor, e cila zgjati 10 vjet. Po në këtë vit u hap gjithashtu Instituti Pedagogjik 2-vjeçar pa shkëputje nga puna për përgatitjen e mësuesve për specialitete të tilla si Gjuhë – Letërsi, Histori – Gjeografi, Biologji – Kimi, Matematikë – Fizikë. Gjithashtu, u hap dhe funksionoi për 5 vjet, Filiali i Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”.

Mbi bazën e kësaj përvoje në vitin 1971 me Vendim të Këshillit të Ministrave, fillon veprimtarinë e tij Instituti i Lartë Pedagogjik 3-vjeçar me shkëputje nga puna, në fillim me degët Histori-Gjeografi dhe Matematikë-Fizikë.

Në 1980 hapet dega e Biologji-Kimisë.   Në vitin 1981 Instituti i Lartë Pedagogjik 3-vjeçar, me Vendim të Këshillit të Ministrave, shndërrohet në Institut të Lartë Pedagogjik 4-vjeçar. Në këtë vit çelet dhe dega e përgatitjes së mësuesve të Cikli i Ulët dhe me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 255, datë 24.07.1986 u hap dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Për një periudhë prej 10 vjetësh, Instituti i Lartë Pedagogjik 4 – vjeçar u kompletua me të gjitha profilet e përgatitjes së mësuesve, u konsolidua, u pasurua me bazë të nevojshme materialo-mësimore. U ndërtua korpusi i ri me të gjitha mjediset e nevojshme për mësim si dhe godina e konviktit. Nga viti në vit u rrit shkalla e kualifikimit të pedagogëve.

Në vitin akademik 1993-1994, me Vendim të Këshillit të Ministrave përkatësisht Nr. 435, datë 03.09.1993, dhe Nr. 300, datë 21.06.1994, Universiteti i Gjirokastrës u zgjerua me hapjen e dy degëve të reja, përkatësisht të degës së Gjuhës e Letërsisë Greke, e cila përgatit mësues për shkollat e minoritetit grek dhe asaj të Gjuhës Angleze.

Në vitet në vazhdim Universiteti i Gjirokastrës plotësohet dhe me programe të tjera studimi të Ciklit të Parë, jashtë profilit të mësuesisë, si Kontabilitet-Financë, Administrim Publik, Turizëm, Infermieri e Lartë, Infermieri Mami, si dhe me programe studimi të Ciklit të Dytë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” dhe të Ciklit të Tretë “Doktoraturë”.  Në përgjithësi kontigjenti i studentëve është nga rrethet e Shqipërisë së Jugut. Gjithashtu ka patur mjaft studentë nga rajone të tjera jashtë kufijve të Shqipërisë si Kosova dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Ndërkaq sot është zgjeruar harta gjeografike e regjistrimit të studentëve. Kemi kontigjente që vijnë edhe nga Shqipëria e Mesme, madje edhe nga rajonet veriore.

Pranimi i studentëve pas vitit 1990 deri në vitin 2005 bëhej mbi bazën e konkursit të organizuar nga vetë universiteti, kurse nga viti 2006 e në vazhdim pranimi i studentëve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë bëhet mbi bazën e “Maturës Shtetërore”, kurse në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në programet e studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave” dhe “Master Profesional”, pranimi i studentëve bëhet mbi bazën e kritereve që përcakton vetë Universiteti.  Studentët mund të ndjekin studimet në dy forma: në formën e studimit me kohë të plotë dhe në formën e studimit me kohë të pjesshme.

Nga viti 1994 e në vazhdim, Universiteti “Eqrem Çabej” filloi funksionimin mbi bazën e departamenteve (u suprimuan katedrat). Sipas Vendimit të Ministrisë së Arsimit Nr. 128, datë 27.10.1994, filluan të funksionojnë tre fakultete dhe 10 departamente.

Me vendim Nr. 823, datë 05.12.2007 të Këshillit të Ministrave Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Fakulteti i Edukimit bashkohen dhe krijohet Fakulteti i Edukimit dhe Shkencave Shoqërore.            

Aktualisht Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër ka në përbërje tre  njësi kryesore:

Fakulteti i Edukimit dhe Shkencave Shoqërore

Në përbërje të këtij fakulteti janë 6 departamente.

Fakulteti i Shkencave Natyrore.     

Në përbërje të këtij fakulteti janë 3 departamente.

Fakulteti Ekonomik                               

Në përbërje të këtij fakulteti janë 3 departamente.