Në një atmosferë solemne dhe dinjitoze, Universiteti “Eqrem Çabej” Gjirokastër organizoi ceremoninë akademike të dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për:
• Prof. Dr. Theodoros Theodoulidis, Rektor i Universitetit të Maqedonisë Perëndimore
• Prof. Dr. Eleni Griva, Zv. Rektore për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Angazhim Global dhe Çështje Studentore

Të pranishmit ndoqën një video prezantuese, e cila solli në vëmendje rrugëtimin profesional, arritjet dhe ndikimin ndërkombëtar të dy personaliteteve të nderuara, si dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm mes dy institucioneve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, theksoi se ky vlerësim përfaqëson një shprehje të thellë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e vazhdueshëm të të ftuarve në konsolidimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet universiteteve tona.
Prof. Dr. Theodoros Theodoulidis u nderua për kontributin e tij të vyer në fushën e inxhinierisë elektrike dhe në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për programe të avancuara ndëruniversitare. Ai ka qenë një nga nxitësit dhe mbështetësit kyç të programit të përbashkët të doktoraturës në “Edukim dhe Shkenca Humane”, i hartuar në standarde ndërkombëtare dhe i parashikuar të ofrohet në gjuhën angleze.
Prof. Dr. Eleni Griva, një prej zërave më të njohur në fushën e gjuhësisë së aplikuar dhe edukimit ndërkulturor, u vlerësua për rolin e saj thelbësor në formësimin shkencor dhe akademik të këtij programi, duke garantuar harmonizimin e përmbajtjes me kërkesat bashkëkohore të arsimit të lartë europian.
Momenti kulmor i ceremonisë ishte veshja solemne me mantelin akademik të Senatit të UGJ-së, një akt simbolik që shënon përfshirjen e të nderuarve në komunitetin tonë akademik. Ky rit është më shumë sesa një gjest protokollar – ai përfaqëson ndarjen e vlerave të përbashkëta, përkatësinë në një mision të përbashkët dhe angazhimin për të ndërtuar ura bashkëpunimi të qëndrueshme në rajon dhe përtej tij.
Në fjalën e tij me temën “Roli i një universiteti rajonal”, Prof. Dr. Theodoulidis theksoi rëndësinë e universiteteve si katalizatorë të zhvillimit komunitar dhe ndërkombëtarizimit të arsimit, duke i cilësuar bashkëpunime si ky me Universitetin “Eqrem Çabej” si shembuj konkretë të arritjeve që ndërtohen mbi besim, vizion dhe respekt të ndërsjellë.
Ceremonia u ndoq nga përfaqësues të autoriteteve vendore, trupa akademike e UGJ-së, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe kulturore në rajon, si dhe studentë e të ftuar të tjerë, që me praninë e tyre e bënë edhe më të veçantë këtë ngjarje historike për universitetin tonë.
Universiteti “Eqrem Çabej” Gjirokastër vazhdon të jetë një urë bashkëpunimi akademik dhe një platformë e besueshme për zhvillime të qëndrueshme, duke afirmuar profilin e tij si një institucion me vizion ndërkombëtar dhe përkushtim të palëkundur ndaj cilësisë.
Postimit në fb të aktivitetit të Honoris Causa të cilin mund tia bashkojme postimit në web
https://www.facebook.com/share/p/16Wr4hRSsk/?mibextid=wwXIfr