Takim i përbashkët me përfaqësues të Universitetit të Janinës.

Aktivitete

“Përafrimi i UGJ me standartet e hapësirës evropiane të arsimit të lartë” ka qenë takimi i përbashkët mes përfaqësuesve të UGJ dhe atyre të Universitetit të Janinës.

Të pranishëm në takim ishin rektorët e të dy unversiteteve, rektori i UGJ prof.dr Bektash Mema, rektori i UOI Triantafyllos A.D. Albanis, zëvendësministri i arsimit Oltion Rrumbullaku, ambasadorja e Greqisë në Shqipëri Sofia Filipidhu, konsulli grek në Gjirokastër Dimitrios Sacharidis, dekanë dhe shefa departamentesh nga të dyja universitetet.  Foto ilustruese.

Në takim u vu theksi mbi nevojën dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes dy institucioneve arsimore. Për rektorin Mema përafrimi i standarteve është një proces që duhet të konkludojë me njohjen e diplomave. “Rajoni ynë ka nevojë për universitete cilësorë dhe diploma të njohura në BE”, u shpreh ai. Rektori i universitetit të Janinës shprehu gatishmërinë për konkretizimin e këtij bashkëpunimi që sipas tij duhet të zhvillohet “me programe të përbashkëta studimi dhe diploma të pranueshme nga të dyja universitetet”.

Nisma e dy universiteteve fqinje gjeti edhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësueses së shtetit grek. Zv/ministri Rrumbullaku u shpreh se “ndërkombëtarizimi i sistemit të arsimit të lartë është një mënyrë për rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitete dhe fuqizimit të universiteteve rajonale”. Ndërsa ambasadorja e Greqisë, Sofia Filipidhu, krahas mbështetjes së qeverisë greke për këtë bashkëpunim mes universiteteve të të dyja vendeve, kërkoi edhe hedhjen e hapave konkretë drejt realizimit të këtij bashkëpunimi.

Takimi i organizuar në formën e një work shop-i shërbeu për shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve mbi mënyrën e konkretizimit të këtij bashkëpunimi dhe marrëveshjes mes dy institucioneve arsimore. Ai do të pasohet nga një takim në Universitetin e Janinës me qëllim zgjerimin dhe konkretizimin e marrëdhënieve në të gjitha format e bashkëpunimit.

Siç u shpreh edhe zëvendësrektorja e UGJ, prof.asoc Valbona Duri, “T’ia nisësh së bashku është vetëm një fillim, të vazhdosh së bashku është progres, të punosh së bashku është sukses”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *